Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë homazh te memoriali “Heroinat” në Prishtinë, duke nderuar sakrificën e grave shqiptare në luftën për liri dhe pavarësi.
“Si shtet si shoqëri, si popull shqiptar i Kosovës dhe si komb po kalojmë ditët, javët dhe muajt e gjenocidit të Serbisë të kryer në Kosovë, i konfirmuar dhe njohur botërisht. Po përjetojmë periudhën e dëbimit masiv të një milion shqiptarëve të Kosovës dhe vrasjen e mbi 10 mijë qytetarëve, kryerjen e 400 masakrave nga shteti i Serbisë, i vrasjes së një mijë 300 fëmijëve shqiptarë”, është shprehur Thaçi.
“Në përpjekjen për liri, pavarësi, shtetndërtim, kontributi i gruas shqiptare, nga istikamet e luftës dhe format tjera ka qenë jetik për mobilizim e njerëzve dhe krijimin e kohezionit gjithpopullor. Nderimi që bëjmë sot është për femrën shqiptare – për heroinat tona, që dhanë gjitha për pavarësinë e Kosovës dhe heroizmin e tyre të paparë në rajon dhe botë”.
Thaçi ka thënë para gazetarëve se nuk do të ketë amnisti për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë.
“Kujtojmë dhunimet e mbi 20 mijë grave nga shteti i Serbisë. Edhe sot ky nderim është përkujtim shtetëror për përdhunimet që kanë ndodhur nga shteti i Serbisë dhe përkujtim i dinjitetin dhe krenarisë të heroinave shqiptare në luftë për liri dhe pavarësi”.
“Ende nuk ka drejtësi, as lokale dhe as bashkësia ndërkombëtare për këto krime, spastrimin etnik, gjenocidin e Serbisë në Kosovë… Heshtja ndërkombëtare e ka amnistuar gjenocidin dhe spastrimin etnik në Kosovë. Nuk ka kohë dhe nuk do të ketë faktorë që do të mund të amnistojë krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin në Kosovë”.
“Nuk ka paqe pa drejtësi”.