Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ka thënë se ka kërkuar nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME) ngritjen e nivelit të gatishmërisë në nivel kombëtar pas vërshimeve që janë në disa pjesë të vendit si pasojë e reshjeve të shiut.
“Ministria e Punëve të Brendshme, përmes AME-së, me vëmendje të shtuar po e përcjellë gjendjen aktuale të vërshimeve të pjesshme si pasojë e reshjeve të shiut”, ka shkruar Veliu në rrjetin social Facebook.
“Deri më tani në Komunën e Gjakovës, Malishevës, Rahovecit, Drenasit dhe Suharekës ka pasur vërshime të pjesshme, derisa ekipet e AME-së janë në terren duke vepruar sipas nevojës dhe rrethanave”.
Veliu ka thënë se në komunat tjera situata momentalisht është e qetë dhe nën kontroll.
“AME do të koordinojë të gjitha veprimet operacionale me shtabet komunale, për të ndërhyrë aty ku është e nevojshme, por edhe për t’i ndihmuar këto shtabe si me personel ashtu edhe me mjete”.
“MPB do të informojë qytetarët në rast të përkeqësimit të gjendjes aktuale”.