Vëllai i personit që e vrau gruan dje në Llaushë të Skenderajt po thotë se dorasi ka probleme psikike. Ai tha se kunata e tij ka qenë një grua e mirë dhe e ndershme, teksa fajtorë për raportin familjar e lë vëllain e tij.
Azem Qerimi tha se ndihen shumë keq pas këtij rasti teksa kanë shprehur keqardhje edhe për familjen e gruas së vrarë.
Ai tregoi edhe se si rasti në Polici është lajmëruar dy-tri ditë para kësaj ngjarje.
“Lajmin e kemi marrë shumë të vështirë dhe shumë vështirë e kemi besuar. Nuk kemi besu se e bënë vëllai im atë. Vëllai im ka qenë një njeri i papunë, tre fëmijë, skamje dhe kohëve të fundit ka pasur edhe kriza. Fëmija e vet me shoqen e kanë lajmëruar policinë. Ata kanë shkuar atje dhe Policia i kanë mbajtur për pesë orë. Është fjala për dy tri ditë më herët. Në fund i kanë lëshuar të gjithë së bashku. Unë jam habitur me atë veprim të policisë, me e lëshu njeriun që ka tentu me mbytë bashkëshorten e tij dy-tri herë”, ka thënë vëllai i dorasit para mediave.
Vëllai i të dyshuarit pohon se shteti ka mundur ta parandalojë vrasjen e kunatës së tij, pasi thotë se nëse vëllain do ta kishin futur në burg nuk do të ndodhte tragjedia.
“Ju kisha lutë me u marrë me gjyqësorin e prokurorinë që nuk i parandalojnë rastet po i lënë kur te bëhen, e pastaj thonë çka u bë, ata kanë mujt me parandalu. Nëse e kishin marrë vëllain tim ta kishin fut në burg 2-3 muaj, ai s’kishte pas shansë me i bë këto”, tha ai për Gazetën Express.
Fjalë të mira ai pati për kunatën e tij që dje u vra nga burri.
“Më obligoj mua që të shkojë t’i blejë do sene që mem largu nga shtëpia edhe ashtu e morëm lajmin prej vëllezërve. Kur erdha në shtëpi e pashë që e kishte bërë atë akt shumë të ligë. Na vjen shumë keq prej familjes së të vrarës, kunatës sime. Ajo ka qenë një grua shumë e sinqertë. Ka qenë një femër e përkryer , e ndershme por vëllai im ka pasur probleme psikike dhe ato e kanë detyruar që ta bëjë atë akt”, ka thënë ai.
Policia Rajonale e Mitrovicës ka konfirmuar për Gazetën Express se gruaja që u vra dje në Llaushë të Skenderajt së fundmi e kishte lajmëruar dhunën në polici. Sipas tyre rasti ishte iniciuar si “dhunë në familje”, ndërsa ndaj të dyshuarit ishte proceduar kallëzim penal.
“Referuar pyetjes së juaj lidhur me rastin veprës penale ‘vrasje e rëndë” e ndodhur me datën 5 janar 2022 në fshatin Llaushë të Skenderajt, nga ana e viktimës L.Q., në cilësi të ankueses është raportuar një rast në Stacionin Policor Skenderaj i iniciuar ‘Dhunë Familje” rasti me kallëzim penal ndaj të dyshuarit S,Q., është proceduar në Prokurori”, thuhet në përgjigjen e policisë rajonale të Mitrovicës dhënë Gazetës Express.