Vrasja që ndodhi mbrëmë në fshatin Pakashticë të Komunës së Podujevës dyshohet të ketë ndodhur nga pakujdesia. Sipas raportimeve, viktima dhe i dyshuari për vrasje ishin baxhanakë mes vete.
Për këtë rast tashmë ka nisur hetimet edhe Prokuroria Themelore e Prishtinës.
Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj i ka thënë Gazetës Express se personi i arrestuar po dyshohet për veprat penale “Vrasja nga pakujdesia” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pautorizuar të armëve”.
Ulaj ka thënë se trupi i viktimës është dërguar për obduksion.
“Lidhur me këtë rast ju njoftojmë se me urdhër të prokurores nga Departamenti i Krimeve të Rënda, është ndaluar një person i dyshuar për veprat penale “Vrasja nga pakujdesia” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Me urdhër të prokurores viktima është dërguar për obduksion, derisa janë duke u ndërmarrë edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë çështje””, ka thënë Ulaj.
Përmes raportit 24 orësh, Policia ka bërë me dije se për tërheqjen e trupit të viktimës kanë asistuar edhe nga FSK’ja, shkaku i terrenit të papaërshtatshëm.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që gjatë gjuetisë dyshohet se nga pakujdesia ka qëlluar me armë zjarri viktimën mashkull kosovar. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante policore, prokurori i shtetit si dhe për shkak të terrenit të papërshtatshëm, kanë asistuar edhe FSK-ja për tërheqjen e trupit të pajetë. Trupi i pajetë, më pas është marrë nga mjekësia ligjore për obduksion . Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në raport.
Rastin për Gazetën Express e ka konfirmuar mbrëmë zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.
Ahmeti ka bërë me dije se në vendngjarje janë sekuestruar dy armë të gjuetisë.
“Sot rreth orës 16:00, kemi pranuar informatën për një rast të vrasjes që ka ndodhur në fshatin Pakashticë të Podujevës. Lidhur me këtë rast në vendngjarje, policia ka arrestuar një person të dyshuar: F.B mashkull 34 vjeç/ Në vendngjarje janë sekuestruar , dy armë e gjuetisë. Viktimë në këtë rast është M.K (mashkull), 30 vjeç, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, ka thënë Ahmeti.
Ahmeti ka thënë se hetuesit policor janë duke punuar në koordinim me prokurorin për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin./