Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në mëngjesin e sotëm ka vizituar shkollën “Iliria” në Prishtinë në ditën e parë të fillimit të vitit të ri shkollor.
Ai pa nga afër kushtet dhe masat anti-covid që mbahen në këtë fillim të ri të procesit mësimor, njofton Klan Kosova.
“ky vit shkollor është më i vështirë për shkak të situatës së krijuar nga pandemia andaj edhe duhet që të gjithë të angazhohemi, secili në detyrat dhe përgjegjësit e veta, në respektimin e masave parandaluese të virusit”, shkruan ai në Facebook.
Më poshtë postimi i tij i plotë:
Dita e parë e shkollës është moment që reflekton rolin madhor që ka edukimi në shoqëri
ndërsa rikthimi në bankat shkollore është i rëndësishëm dhe interes jetësor i të gjithëve.
Urime për të gjithë nxënësit! Paçin një fillim të mbarë, shëndet, suksese, më shumë dije dhe rezultate pozitive!
Mëngjesin e sotëm gjatë vizitës që i bëra shkollës “Iliria” në Prishtinë pashë se në këto kushte pandemie, gjithnjë sipas udhëzimeve, janë bërë të gjitha përgatitjet, dezinfektimi i hapësirave shkollore, shenjëzimet paralajmëruese, në klasa është bërë reduktimi i numrit të nxënësve për të ruajtur distancën fizike, nxënësit bartnin maska si dhe në hapësira të caktuara ishin vendosur dezinfektues.
Edhe njëherë dua të konfirmoj nga këtu që Ministria e Shëndetësisë, bashkë edhe me të gjithë akterët e tjerë, të rëndësishëm dhe të domosdoshëm në këtë proces, jemi maksimalisht të përkushtuar që ta menaxhojmë sa më mirë situatën.
Natyrshëm që ky vit shkollor është më i vështirë për shkak të situatës së krijuar nga pandemia andaj edhe duhet që të gjithë të angazhohemi, secili në detyrat dhe përgjegjësit e veta, në respektimin e masava parandaluese të virusit.