Rusia ka marrë kontrollin e Lysychansk, qyteti i fundit në rajonin e Luhansk në Ukrainën lindore që ishte ende nën kontrollin ukrainas. Ushtria e Ukrainës njoftoi të dielën se ishte “detyruar të tërhiqej” nga qyteti, shkruan CNN.
Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu i raportoi Presidentit Vladimir Putin se ushtria kishte pushtuar Lysychansk dhe një numër vendbanimesh aty pranë të dielën, sipas Ministrisë së Mbrojtjes të vendit.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pranoi tërheqjen e forcave ukrainase nga qyteti, duke thënë se tërheqja kishte për qëllim të shpëtonte jetën e trupave që përballeshin me një sulm të mijëra predhave të artilerisë ruse. Zelensky u zotua se forcat e armatosura të Ukrainës do të rimarrë Lysychansk dhe Donbas.
Të paktën gjashtë persona u vranë dhe 15 u plagosën gjatë bombardimeve në qytetin lindor të Ukrainës Sloviansk të dielën, sipas autoriteteve lokale. Kryetari i bashkisë së qytetit tha se Sloviansk po përjetonte granatimet më të rënda në ditët e fundit. Qyteti i afërt i Kramatorsk u godit gjithashtu me tre sulme me raketa të dielën në mëngjes, por nuk pati viktima, sipas administratës ushtarake rajonale të Donetskut të Ukrainës.
Ushtria ukrainase nisi “një sulm të qëllimshëm” me raketa balistike Tochka-U me municione thërrmuese dhe dronë në zonat e banuara të qyteteve ruse të Belgorod dhe Kursk, pretendoi të dielën zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes.
Më herët, guvernatori lokal tha se të paktën tre persona u vranë dhe dhjetëra ndërtesa banimi u dëmtuan nga shpërthimet në rajonin Belgorod. Ushtria ukrainase nuk ka komentuar ende për sulmet.
Kryeministri australian Anthony Albanese vizitoi rajonin e Kievit të dielën, duke udhëtuar në Bucha, Hostomel dhe Irpin, përpara se të takohej me presidentin Zelensky. Ai njoftoi një paketë ndihme prej 100 milionë dollarësh për Ukrainën, e cila përfshin pajisje ushtarake dhe asistencë sigurie. Australia gjithashtu do të ndalojë importet e arit rus dhe do të vendosë sanksione financiare dhe ndalime të udhëtimit për 16 ministra dhe oligarkë të tjerë rusë.